Inteligjenca Artificiale në kurrikula nga klasa e IV, pjesë e Agjendës Digjitale për Arsimin
Qeveria synon të integrojë Inteligjencën Artificiale në arsimin parauniversitar, duke e përfshirë në mënyrë të strukturuar në kurrikulat shkollore që nga klasa e IV, si pjesë e Agjendës Digjitale për Arsimin 2025–2030.
IA si pjesë e edukimit të hershëm
Sipas dokumentit strategjik, Inteligjenca Artificiale do të përfshihet në kurrikulën ekzistuese të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), në përputhje me rritjen e përdorimit të saj në jetën e përditshme dhe nevojën për përgatitjen e nxënësve me aftësi digjitale të avancuara. Qasja bazohet edhe në “Konsensusin e Pekinit për IA-në dhe Arsimin” të UNESCO-s, i cili mbështet integrimin e hershëm të IA-së në shkolla.
Modele ndërkombëtare orientuese
Agjenda Digjitale sjell si referencë praktikat e disa vendeve që kanë nisur tashmë përfshirjen e IA-së në arsim. Kina e ka integruar IA-në nga klasat I deri në XII brenda shkencës së informacionit, ndërsa në Indi edukimi mbi IA-në zhvillohet përmes laboratorëve STEM për nxënësit e klasave VI–XII. Koreja e Jugut e përfshin IA-në në lëndë si matematika dhe ekonomia shtëpiake për klasat IX–XII, ndërsa në Gjermani rajonet kanë autonomi për ta integruar atë në kurrikulat nga klasa I deri në XII.
Qasje fleksibël dhe ndërdisiplinore
Dokumenti thekson se integrimi i IA-së mund të realizohet përmes formave të ndryshme, duke përfshirë lëndë të dedikuara, kurrikula ndërdisiplinore të bazuara në projekte, modele fleksibël të përshtatura nga shkollat, apo integrim brenda lëndëve ekzistuese si TIK dhe matematika. Këto qasje synojnë t’i pajisin nxënësit me njohuri dhe aftësi që i përgatisin për tregun e ardhshëm të punës dhe transformimin digjital.